Fëmijët e Botës: Çfarë mund të bëhet?

Ekzistojnë tre komponentë kryesorë të nevojshëm për të promovuar dhe mbrojtur shëndetin mendor të fëmijëve, konkretisht:

Angazhimi për të forcuar lidershipin dhe rritjen e investimeve;
– Komunikimi për të trajtuar stigmën dhe për t’u angazhuar me të rinjtë;
– Veprimi për minimizimin e faktorëve të rrezikut, maksimizimin e faktorëve mbrojtës në familje dhe shkolla, forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes sociale dhe përmirësimin e kërkimit në zonë.

Përkushtimi, në aspektin e gjerë, nënkupton nevojën për një udhëheqje globale më jetike, zhvillimin e modeleve të financimit për të kapërcyer hendekun e investimeve dhe partneritete për të shkëmbyer njohuri dhe për të ndërtuar kapacitete, për të mbledhur të dhëna dhe dëshmi, për të monitoruar dhe vlerësuar progresin. Për më tepër, kjo përfshin rritjen e fondeve. Në shumë vende, shëndeti mendor është i pafinancuar, pasi pjesa më e madhe e buxhetit është investuar në shërbimet psikiatrike, duke i lënë një sasi të vogël parandalimit dhe promovimit të shëndetit mendor. Vendet janë fokusuar në përcaktimin e objektivave specifike buxhetore për çështjet e shëndetit mendor brenda sferës së kujdesit shëndetësor në vitet e fundit. Këto janë zakonisht të paktën 5% në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme (LMICs) dhe të paktën 10% në vendet me të ardhura më të larta.

Vendet duhet të rrisin fondet si në arsim ashtu edhe për mbrojtjen sociale. Ata duhet të përcaktojnë objektiva më të sakta dhe të zhvillojnë burime të reja dhe novatore financimi dhe fondesh, duke përfshirë agjencitë ndërkombëtare dhe donatorët, në përputhje me qasjet e të drejtave të njeriut bazuar në nevojat e njerëzve.

Përmirësimi i komunikimit mund të çojë në rezultate më të mira. Ai trajton keqkuptimet rreth çështjeve të shëndetit mendor, që nxisin stigmën dhe parandalojnë fëmijët dhe adoleshentët të kërkojnë mbështetje dhe të marrin pjesë plotësisht në komunitetet e tyre. Qeveritë dhe mediat duhet të punojnë së bashku për t’i dhënë fund stigmës rreth shëndetit mendor dhe të promovojnë pikëpamjen se është thelbësore të flasim për shëndetin mendor.

Kjo do të rriste njohuritë e njerëzve për shenjat e stresit dhe do të informonte qytetarët për të kërkuar ndihmë. Komunikimi është kritik, pasi u siguron të rinjve mjetet për angazhim aktiv dhe kuptimplotë, nëpërmjet investimit në grupet rinore të komunitetit ose bashkë-krijimit të nismave dhe programeve të trajnimit. Dëgjimi i nevojave të të rinjve do të përmirësojë masat që synojnë të ndihmojnë fëmijët, të rinjtë dhe kujdestarët gjatë gjithë jetës së tyre.

Veprimi duhet të përfshijë katër aspekte kryesore. Aspekti i parë është të mbështesë familjen e një fëmije si figurën e tij themelore. Marrëdhëniet e qëndrueshme në shtëpi mund të ndihmojnë në mbrojtjen e fëmijëve kundër stresit toksik dhe promovojnë elasticitetin dhe mirëqenien e përgjithshme. Programet e prindërimit duhet të rriten, duke u fokusuar në Mësimin Social dhe Emocional (SEL) për të mbështetur familjet dhe fëmijët në zhvillimin e lidhjeve pozitive dhe krijimin e një mjedisi pozitiv në shtëpi. Fëmijët që jetojnë në kushte të rënda shtëpiake, duke përfshirë dhunën ose stresin e rëndë, duhet të kenë mbështetje specifike. Prindërve të tyre duhet t’u sigurohen njohuri (të tilla si programe trajnimi, këshillim për shëndetin, ushqimin dhe zhvillimin e fëmijës) dhe burime të tilla si leja prindërore me pagesë, mbështetje për ushqyerjen me gji, kujdes të cilësisë së lartë në dispozicion dhe të aksesueshëm për fëmijët dhe përfitime për fëmijë. Kjo rrjedhimisht do të rrisë angazhimin e kujdestarit me fëmijët e tyre gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës së tyre, si dhe do të nxisë zhvillimin e tyre social, emocional, fizik dhe njohës. Kujdestarët kanë nevojë për trajnime aftësish për të përmirësuar rezultatet zhvillimore, rezultatet e sjelljes dhe ato familjare, për problemet shëndetësore të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Së dyti, shkollat ​​janë një pjesë e rëndësishme e jetës së fëmijëve dhe si e tillë, duhet të jenë një nga institucionet kryesore që sigurojnë mbështetjen e shëndetit mendor. Dhuna, ngacmimi, stresi dhe presioni për të performuar janë dëmtuesit kryesorë të shëndetit mendor. Në këtë kuptim, shkollat ​​duhet të zbatojnë një qasje holistike për të rritur zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Ato duhet të inkurajojnë një klimë të ngrohtë dhe pozitive që i bën fëmijët të ndihen të sigurt dhe të lidhur dhe t’i fuqizojë ata të shprehin mendimet e tyre, të mbështesin studentët e tjerë në shprehjen e tyre dhe të kërkojnë ndihmë kur është e nevojshme.

Shkollat duhet të sigurojnë trajnime të rregullta për shëndetin mendor dhe mirëqenien psikosociale për mësuesit dhe personelin, si dhe për fëmijët, adoleshentët dhe familjet. Ato duhet të forcojnë më tej njohuritë dhe kompetencat socio-emocionale të mësuesve, në mënyrë që të ndihmojnë fëmijët dhe adoleshentët të mësojnë për shëndetin mendor, të zhvillojnë zakone të shëndetshme dhe të njohin nxënësit që mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë. Përveç kësaj, ata duhet t’i ofrojnë stafit të shkollës trajnime që synojnë identifikimin e nxënësve me tendenca të vetëvrasjes dhe t’i ndihmojnë ata në përputhje me rrethanat. Programet kombëtare të parandalimit të vetëvrasjeve duhet të kufizojnë aksesin në mjetet e vetëvrasjes, të inkurajojnë raportimin e përgjegjshëm të medias dhe të identifikojnë dhe heqin përmbajtjen e dëmshme në mediat sociale.

Së treti, sistemet dhe forcat e shumta të punës duhet të forcohen për të adresuar sfidat e shëndetit mendor. Shërbimet e shëndetit mendor duhet të ofrohen nëpër sektorë dhe platforma të ndryshme, duke përfshirë arsimin, mbrojtjen sociale dhe kujdesin në komunitet. Ndërhyrjet e bazuara në komunitet si mbrojtja e fëmijëve dhe menaxhimi i rasteve të dhunës me bazë gjinore duhet të miratohen veçanërisht për të identifikuar dhe mbështetur fëmijët në rrezik, që kërkojnë kujdes të specializuar. Organizatat lokale të grave duhet të jenë një burim thelbësor i mbështetjes psikosociale për gratë dhe vajzat, veçanërisht për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Ndërhyrjet e MHPSS duhet të përmirësohen në mënyrë që t’u ofrojnë fëmijëve mjetet dhe burimet e nevojshme për të përballuar ankthin dhe format e rënda të shqetësimit. Të drejtat e fëmijëve duhet të respektohen në hartimin dhe ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor, ku përdoruesit e shërbimeve nuk trajtohen si pacientë, por si individë me të drejta. Kujdesi duhet të jetë i përqendruar te personi dhe i orientuar drejt rimëkëmbjes.

Faktori i katërt kyç për veprim është përmirësimi i të dhënave, hulumtimit dhe provave. Mungesa e të dhënave për shëndetin mendor të fëmijëve, adoleshentëve dhe kujdestarëve, veçanërisht në LMIC-të me shumicën e adoleshentëve të botës, përbën një sfidë për zhvillimin dhe planifikimin e politikave. Kështu, vendet duhet të rrisin buxhetet e kërkimit për të gjitha moshat dhe etnitë, që të përshtaten me realitetet lokale dhe të kapin përvoja të ndryshme. Hulumtimi cilësor mund të ndihmojë në zvogëlimin e boshllëqeve, në gjenerimin e provave dhe të sigurojë një përshkrim solid të mirëqenies së fëmijëve dhe adoleshentëve.

Është thelbësore të monitorohet dhe vlerësohet shëndeti mendor nëpërmjet një grupi treguesish thelbësorë, të përcaktuar me konsensus rreth shëndetit mendor të fëmijës, adoleshentit dhe kujdestarit, duke mbuluar prevalencën e kushteve të shëndetit mendor, ofrimin e kujdesit shëndetësor mendor dhe shtrirjen e përpjekjeve për të adresuar çështjet që mbrojnë fëmijët dhe adoleshentët në rrezik. Hulumtimi duhet të synojë të kuptojë nevojat e ndryshme dhe të hetojë faktorët që ndalojnë ose përshpejtojnë zbatimin e politikave. Rritja e kërkimit do t’u siguronte qeverive njohuri mbi çështjen e shëndetit mendor, duke i kthyer idetë në veprim.

 

Summarize by Elizaveta Rusakova from A FRAMEWORK FOR ACTION of The State of the World’s Children 2021

Translated by Xhina Cekani from [World Children: What can be done]

 

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *